ARTROSKOPI NË ORTOPEDI
Artroskopia është një metodë kirurgjikale që përdoret për të diagnostikuar dhe trajtuar problemet e nyjeve. Edhe pse zakonisht përdoret për vlerësimin e nyjeve të gjurit, gjithashtu mund të përdoret për nyjet e kërdhokullës, kyçet e dorës, kyçet e këmbës dhe nyjet e gishtave. Artroskopia mund të përcaktojë se cili është problemi, nëse ka artrit, kërc ose dëmtim të indit lidhës, dhimbje ose dobësi në nyje. Mund të përdoret gjithashtu për të marrë mostra të indeve (biopsi) ose për të hequr fragmente të indeve, kockave ose kërcit brenda nyjeve.
Arthroskopia mund të kryhet për të gjetur shkakun e saktë të dhimbjes, ënjtjes dhe inflamacionit. Artroskopia konsiderohet gjithashtu për çarjet e kërcit, tendosjet dhe çarjet e ligamenteve, përkeqësimin e kërcit nën kapakun e gjurit dhe humbjen e stabilitetit të nyjeve. Artriti mund të shkaktojë trashje të membranës sinoviale në nyje. Kjo membranë mund të hiqet lehtësisht duke përdorur artroskopinë.
Në teknikën e artroskopisë, rreziku i infeksionit është më i ulët se operacionet normale; operacioni mund të kryhet me prerje të vogla dhe shkakton më pak probleme të lëkurës. Përveç kësaj, kjo procedurë ushtron më pak tendosje në nyje dhe koha e rikuperimit është më e shkurtër se operacionet e hapura.
Artroskopia zgjat prej 30 minutash deri në 1 orë dhe mund të kryhet edhe nën anestezion lokal edhe të përgjithshëm. Artroskopia kryhet me një instrument të hollë si tub, me dritë në njërin skaj të saj, që futet mbrenda nyjes. Kirurgu monitoron operacionin nga një monitor që tregon brendësinë e kyçit dhe nëse është e mundur, riparon ose heq ndonjë pjesë të dëmtuar gjatë procedurës. Një lloj lëngu mund të përdoret për të larë nyjet e prekura nga artriti që ndihmon të reduktohen simptomat për disa muaj. Në fund të procedurës, artroskopi dhe instrumentet hiqen nga nyja, prerjet mbulohen me garzë sterile dhe nyja mund të fashohet nëse është e nevojshme.
Shërimi pas operacionit artroskopik është shumë më i shpejtë se operacioni i hapur dhe pacienti zakonisht lëshohet nga spitali mbrenda 1 dite. Në pikat e prerjes në përgjithësi nuk ndjehet dhimbje, megjithatë disa javë pas operacionit, mbrenda nyjes mund të shkaktohet ënjtje dhe diskomfort. Nëse problemi që duhet trajtuar është artriti, kjo periudhë mund të zgjasë më tepër. Në varësi të nyjes që ekzaminohet, pacientët përdorin splinta, fasha ose paterica për ta mbrojtur atë. Shumë pacientë mund të kthehen në punë brenda një jave, por nëse puna kërkon përkulje, ngritje ose mbajtje, atëherë pacientëve u duhet më shumë kohë për të pushuar.
Me artroskopitë që kryhen për lëndimet e lidhura me sportin, pacientëve u ofrohet mundësia që të kthehen në sport. Megjithatë, artroskopia e cila kryhet tek pacientët që kanë artrit, vetëm mund të përmirësojë përkohësisht simptomat. Në rastet e nyjeve të gjurit, artroskopia, zakonisht mund të riparojë me sukses dëmtimin e kërcit dhe indit lidhës.
Artroskopia është zakonisht një procedurë e sigurt dhe më pak e rrezikshme se një operacion normal. Megjithatë, si në të gjitha operacionet kirurgjikale, edhe në artroskopi nuk përjashtohet mundësia e komplikimeve. Komplikimet e lidhura me artroskopinë mund të përfshijnë dëmtimin e nyjeve dhe indeve përreth, infeksionin e nyjeve, gjakderdhjen intra-artikulare të nyjeve dhe humbjen e ndjeshmërisë në lëkurën përreth ndërhyrjes. Edhe pse shumë rrallë, reagime të papritura mund të ndodhin ndaj anestezionit.
ZËVENDËSIMI I KËRDHOKULLAVE
Kirurgu heq pjesët e dëmtuara të nyjës së kërdhokullave dhe i zëvendëson ato me komponentë që zakonisht janë të përbëra nga metali, qeramika apo një lloj plastike shumë të fortë, gjatë operacionit të zëvendësimit të kërdhokullave. Kjo protezë, e quajtur edhe nyje artificiale, ndihmon në uljen e dhimbjes dhe përmirësimin e funksionimit.
Rastet që mund të dëmtojnë nyjen e kërdhokullës janë:
- Osteoartriti
- Artrit reumatoid
- Osteonekroza
Pacienti me dhimbje në kërdhokull duhet të konsiderojë zëvendësimin e saj nëse dhimbja:
- Është prezente pavarësisht mjekimeve kundër dhimbjes
- Përkeqësohet gjatë ecjes
- Bëhet pengesë për gjumë
- E vështirëson veshmbathjen
- Ndikon në aftësinë për tu ngjitur dhe zbritur nga shkallët
- E vështirëson ngritjen nga vendi
Kirurgu ortoped do të kërkojë disa informacione, rreth gjendjes mjekësore aktuale dhe të kaluar, të pacientit. Gjithashtu, mjeku do të ekzaminojë kërdhokullën në mënyrë që të përcaktojë shkallën e lëvizshmërisë në nyje dhe forcën e muskujve përreth. Testet e gjakut dhe ekzaminimi me rreze X mund të kërkohen, nëse janë të nevojshme. Krahas kësaj, medikamentet që pacienti po merr ose ka marrë kohët e fundit. Gjithashtu, mjeku do të shpjegojë opsionet e ndryshme të procedurës dhe do t'u përgjigjet pyetjeve për të lehtësuar shqetësimet e pacientit. Në bazë të rekomandimeve të mjekut, pacienti mund të ketë disa kufizime në të ngrënë, në të pirë dhe ilaçe përpara operacionit.
Pas operacionit, pacienti do të ketë një konsultim të mëtejshëm me ortopedin për t'u siguruar që kërdhokulla po shërohet siç duhet. Disa muaj pas operacionit, nëse procesi i shërimit është pozitiv, pacientët mund të rifillojnë të paktën disa nga aktivitetet e tyre normale.
ZËVENDËSIMI I GJURIT
Zëvendësimi i gjurit, i njohur gjithashtu si Artroplastika e Gjurit, është një procedurë kirurgjikale që mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes, duke rivendosur funksionin në nyjet e gjurit të sëmurë. Operacioni kryhet duke e hequr gjurin e dëmtuar, të konsumuar ose të sëmurë dhe duke e zëvendësuar atë me një protezë që quhet edhe nyje artificiale.
Kirurgu ortoped ekzaminon dhe vlerëson lëvizshmërinë e gjurit, stabilitetin dhe forcën e gjurit, në mënyrë që të përcaktojë nëse pacienti është kandidat për të kryer një operacion të zëvendësimit të gjurit. Mosha, pesha, niveli i aktivitetit, madhësia dhe forma e gjurit si dhe shëndeti i përgjithshëm i pacientit, mund të ndryshojnë llojin e protezave dhe teknikave kirurgjikale. Pacientët mund të rifillojnë shumicën e aktiviteteve të përditshme, tre deri në gjashtë javë pas operacionit.